OKB: Eksportet e grurit ukrainas rifillojnë sot

Martin Griffiths

Kombet e Bashkuara presin që anijet e para të ngarkesave me grurë të largohen nga portet e Detit të Zi të Ukrainës sot.

Koordinatori i OKB-së për Ndihmën Emergjente, Martin Griffiths deklaroi të enjten në Nju Jork se ngarkesat me grurë ishin gati për tu nisur.

Ai tha se koordinatat e sakta për kalimin e tyre ishin ende duke u finalizuar nga Ukraina dhe Rusia, së bashku me Kombet e Bashkuara dhe Turqia.

Të katër palët arritën një marrëveshje të premten e kaluar për të rifilluar eksportet e grurit ukrainas përmes Detit të Zi, duke rritur shpresat se kriza ushqimore në mbarë botën mund të zbutet.

Ukraina u zotua të drejtojë anijet nëpër ujërat që janë minuar dhe Rusia premtoi se nuk do të shënjestronte anijet dhe infrastrukturën portuale. /atsh