Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut paralajmëroi të premten se plani i SHBA-së për të transmetuar drejtpërdrejt ekzekutimin e një ish-majori të ushtrisë do të përbëjë shkelje ndaj normës së “ndalimit absolut të torturës”, transmeton Anadolu.
“Transmetimi i drejtpërdrejtë i një ekzekutimi është i barasvlershëm me një ekzekutim publik dhe do të përbëjë shkelje të ndalimit absolut të torturës”, u tha gazetarëve në Gjenevë zëdhënësja e Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Shabia Mantoo.
Mantoo rikujtoi se komisari i lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, kishte shprehur më parë shqetësime lidhur me ekzekutimet publike në Afganistan dhe Iran.
Ajo theksoi se praktika të tilla përbëjnë “trajtim ose ndëshkim mizor, çnjerëzor ose poshtërues”.
“Mosrespektimi i këtij ndalimi do ta bënte në mënyrë të pashmangshme ekzekutimin arbitrar dhe do të rezultonte në shkeljen e së drejtës për jetën”, tha Mantoo.
Deklaratat e saj erdhën pas një njoftimi të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, se publiku do të mund ta ndjekë ekzekutimin me pushkatim të ish-majorit të ushtrisë amerikane, Nidal Hasan.
Hasan u dënua me vdekje për vrasjen me armë të zjarrit të 13 ushtarëve amerikanë të paarmatosur në bazën ushtarake Fort Hood në Teksas, në vitin 2009.
Sipas raportimeve, transmetimi i planifikuar do të shënojë ekzekutimin e parë publik në SHBA në gati një shekull.


