OKB-ja përsërit thirrjen e saj që filloi pas tërmeteve për mbështetje për Turqinë

Jens Laerke

Kombet e Bashkuara (OKB) përsëritën kërkesën e saj të mbështetjes ndaj thirrjes së saj për situatën emergjente të filluar pas tërmeteve për Turqinë, raporton Anadolu.

Zëdhënësi i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), Jens Laerke, në një fjalim të mbajtur në një konferencë për shtyp, theksoi se 9 milionë njerëz u prekën mënyrë të drejtpërdrejtë dhe 3 milionë njerëz u zhvendosën nga tërmetet e ndodhura më 6 shkurt në Turqi.

Institucionet e OKB-së dhe partnerët e ndihmës humanitare deri më tani kanë dërguar veshje, ushqime dhe pajisje shtëpiake bazë, si ngrohës, për 4,1 milionë njerëz, njoftoi Laerke.

“Me ndihmën urgjente ushqimore janë arritur pothuajse 3 milionë njerëz. Ndërsa për më shumë se 700 mijë njerëz është dhënë mbështetje për përmirësimin e ambienteve të jetesës, përfshirë edhe tenda, mjete riparuese. Po ashtu është ofruar ndihmë me ujë, kushte sanitare dhe higjienë dhe janë dërguar rreth 1 milion litra ujë”, tha ai.

Për Ministrinë turke të Shëndetësisë janë siguruar 4,6 milionë doza vaksinash, 16 klinika shëndetësore të lëvizshme dhe pajisje mjekësore dhe ilaçe për shëndetin riprodhues dhe trajtimin e traumave, tha Laerke, i cili shtoi se të gjitha ndihmat janë bërë për të mbështetur përpjekjet nën udhëheqjen e qeverisë turke.

“Me mbështetjen e donatorëve tanë, një kontribut prej 268 milionë dollarësh është bërë deri më sot (31 mars) në thirrjen për ndihmë urgjente në shumën 1 miliard dollarë që OKB-ja filloi më 16 shkurt për të prekurit nga tërmeti në Turqi. Donatorët që renditen në pesë vendet e para janë SHBA-ja, Kuvajti, Komisioni Evropian, Fondi Qendror i Emergjencave i OKB-së (CERF) dhe Arabia Saudite”, u shpreh Laerke.

I pyetur nga gazetari i Anadolus se cili do të jetë hapi i ardhshëm dhe çfarë mbështetje planifikojnë të japin në të ardhmen e afërt, zëdhënësi Laerke tha: “Aktualisht ndodhemi në fazën që ne e quajmë situatë emergjente. Po punojmë të përcaktojmë se për çfarë kanë nevojë të mbijetuarit dhe se si të mbështesim ata që kanë shpëtuar nga tërmeti. Për këtë kemi një kohë 3 mujore. Do të vendosim në zbatim këto projekte por këto do të vazhdojnë edhe më pas. Për këtë arsye bëj ende thirrje për mbështetje ndaj fushatës së situatës emergjente që kemi filluar për Turqinë”.

Pasi rikujtoi se në rajonet e tërmetit në Turqi është kaluar në fazën e ristrukturimit, Laerke theksoi se për këtë janë premtuar 7 miliardë euro në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve që u mbajt më 20 mars në kryeqytetin e Belgjikës, Bruksel.