Ballina Kuriozitete OKB: Kriza globale e ujit është e pakthyeshme

OKB: Kriza globale e ujit është e pakthyeshme

Kriza hidrike në nivel global është e pakthyeshme. Sipas raportit të OKB-së, situata aktuale është dramatike, pasi shfrytëzimi dhe ndotja e burimeve ujore kanë tejkaluar mundësitë e rinovimit dhe nuk mund të kthehen në nivelet e mëparshme.

Në raport vihet theksi te reduktimi që po pësojnë rezervat ujore dhe zonat e lagështa, ku gjysma e liqeneve të mëdhenj në botë ka humbur sasi uji të mëdha në krahasim me vitet ’90. Në 50 vitet e fundit, Toka ka humbur 410 milionë hektarë zona të lagështa natyrore, gati sa sipërfaqja e gjithë kontinentit evropian. Rreth 70% e burimeve nënujore në botë shënojnë rënie dhe reduktim të përhershëm.

Reduktimi i pasurive ujore ndikon mbi popullsinë njerëzore, ku 2.2 miliardë persona nuk kanë akses ndaj ujit të pijshëm, 3.5 miliardë njerëz nuk kanë shërbime higjienike dhe 4 miliardë duhet të përballojnë të paktën një muaj në vit mungesë të ujit në vlera mesatare.

Në qendër të kësaj krize është veçanërisht prodhimi ushqimor, ku 70% e rezervave botërore të ujit të ëmbël përdoret në bujqësi. Dhe rezervat po shpërdorohen më shpejt në terma të përgjithshëm sesa është aftësia për rekuperim e vetë natyrës.