OKB: Mbi 19,000 fëmijë, viktima të dhunës në zonat e konfliktit

Virginia Gambas

Numri i fëmijëve të rrëmbyer dhe të përdhunuar në rajonet e krizave është rritur në mënyrë drastike në vitin 2020, thanë Kombet e Bashkuara.

Zyra e Virginia Gambas, përfaqësueses së posaçme të OKB-së për fëmijë dhe konflikte të armatosura, tha se rrëmbimet janë rritur për 90 për qind, ndërsa përdhunimi dhe format e tjera të dhunës seksuale janë rritur për 70 për qind.

Zyra dokumentoi dhunën ndaj më shumë se 19,300 vajzave dhe djemve në zonat e konfliktit, gjatë vitit 2020.

Në raportin e saj vjetor thuhet se në 8,400 raste fëmijët janë vrarë ose gjymtuar – kryesisht në Afganistan, Siri, Jemen dhe Somali.

Afër 7,000 të mitur janë rekrutuar si ushtarë ose janë shfrytëzuar në luftë – kryesisht në Somali, Siri, Mianmar dhe Republikën Demokratike të Kongos.

Raporti thekson se pandemia e koronavirusit e ka rritur cenueshmërinë e fëmijëve ndaj rrëmbimit, rekrutimit dhe dhunës seksuale.

“Masat për të kufizuar përhapjen e koronavirusit e kanë komplikuar punën e vëzhguesve dhe ekspertëve të Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen e fëmijëve”, thuhet në raport.

Aty theksohet se edhe sulmet në shkolla dhe spitale kanë ndodhur në “shkallë jashtëzakonisht të lartë”, ndërsa shumë shkolla janë përdorur edhe për “qëllime ushtarake”.

Organizata për të drejtat e njeriut Human Rights Watch e kritikoi zyrën e OKB-së për mospërfshirjen në listë edhe të Izraelit dhe Arabisë Saudite për veprimet e tyre kundër fëmijëve. /rel