OKB: Mbi 3.000 njerëz vdiqën ose u zhdukën në det me shpresën për të arritur në Evropë

Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR) ka njoftuar se më shumë se 3 mijë njerëz kanë humbur jetën ose janë zhdukur gjatë përpjekjeve për të kaluar në vendet evropiane në vitin 2021, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media në Gjenevë, zëdhënësja e UNHCR-së, Shabia Mantoo, tha se njerëzit humbën jetët ose u zhdukën ndërsa përpiqeshin të kalonin Mesdheun Qendror dhe Perëndimor, si dhe Atlantikun për në Evropë.

Mantoo po citonte një raport të ri të UNHCR-së, duke bërë thirrje për ndihmë urgjente “për të parandaluar vdekjet dhe për të mbrojtur refugjatët dhe azilkërkuesit që marrin udhëtime të rrezikshme nga toka dhe deti”.

Në vitin 2021, sipas raportit, gjithsej 1.924 njerëz u raportuan të vdekur ose të zhdukur në rrugët e Mesdheut Qendror dhe Perëndimor, ndërsa 1.153 të tjerë vdiqën ose u zhdukën në rrugën detare të Afrikës Veriperëndimore për në Ishujt Kanarie.

Numri i vdekjeve të raportuara në vitin 2020 ishte 1.544 në të dyja rrugët.

“Kjo është alarmante, që nga fillimi i vitit, edhe 478 persona të tjerë kanë vdekur ose janë zhdukur në det”, theksohet në raport.

UNHCR-ja gjithashtu bëri thirrje për 163.5 milionë dollarë për të ndihmuar dhe mbrojtur mijëra refugjatë dhe të tjerë në strategjinë e saj të re për mbrojtjen e refugjatëve. /aa