OKB: Më shumë se 19 mijë sudanezë kanë kërkuar strehim në Sudanin e Jugut për shkak të konfliktit

Për shkak të konfliktit që shpërtheu midis ushtrisë sudaneze dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), më shumë se 19 mijë refugjatë u detyruan të kërkonin strehim në Sudanin Jugor fqinj, thuhet në një raport të OKB-së, transmeton Anadolu.

Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) në Sudanin e Jugut tha në fundjavë se numri i të ardhurve pritet të vazhdojë të rritet nëse konflikti në Sudan vazhdon.

“Kushtet e këqija të rrugëve dhe terrenit në sezonin e shirave dhe një situatë e paparashikueshme sigurie, së bashku me mungesën e fondeve për të mbështetur operacionet, mbeten sfida kryesore”, tha OKB-ja.

Më tej theksohet se fëmijët janë më të goditur se kurrë dhe shumë prej tyre nuk shkojnë në shkollë.

Raporti thotë se partnerët e Planit të Emergjencës kanë bërë tashmë hapa të rëndësishëm për të ndihmuar ata në nevojë, por shkalla e krizës kërkon më shumë mbështetje.

Sipas të dhënave të OKB-së, më shumë se 4 milionë njerëz janë ende të zhvendosur në Sudan, 2.5 milionë brenda vendit dhe 2.2 milionë në vendet fqinje.