Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se kufizimet izraelite në pikat kufitare të Gazës po pengojnë rëndë operacionet humanitare, ndërsa mungesa e karburantit rrezikon të ndalë shërbimet jetike në territorin e rrethuar.
Zëdhënësi i OKB-së, Stéphane Dujarric, duke iu referuar Zyrës për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), tha në një konferencë për media se pothuajse të gjitha pikat kufitare me Gazën mbeten të mbyllura, përveç pikës Karem Abu Salem.
Sipas tij, që nga e marta në Gaza kanë hyrë vetëm rreth 1.4 milionë litra karburant, ndërsa nevojiten më shumë se 2 milionë litra në javë për të shmangur ndërprerjen ose reduktimin e shërbimeve humanitare.
OKB paralajmëroi gjithashtu se mungesa e karburantit po pengon edhe largimin e mbeturinave në territor. Që nga 10 shkurti, ekipet humanitare kanë arritur të largojnë rreth 3,000 metra kub mbetje të ngurta nga mbi 350,000 metra kub mbeturina të grumbulluara.
Sipas Dujarric, ky ritëm është shumë më i ulët se sa ishte planifikuar, kryesisht për shkak të mungesës së karburantit dhe situatës së pasigurt në terren.
Vështirësi të mëdha po hasin edhe operacionet për strehimin e të zhvendosurve. Kufizimet izraelite për materialet e konsideruara me “përdorim të dyfishtë”, si veglat e punës, pajisjet e rënda, druri dhe çimentoja, po kufizojnë ndihmën humanitare.
OKB ka bërë thirrje për rihapjen e më shumë pikave kufitare dhe për një furnizim të vazhdueshëm e të parashikueshëm me ndihma dhe materiale thelbësore për Gazën. /mesazhi








