OKB paralajmëron se Afganistani është në një “pikë kthese të rrezikshme”

Deborah Lyons

E dërguarja speciale e OKB -së për Afganistanin, Deborah Lyons, paralajmëroi se vendi është në një “pikë kthese të rrezikshme” teksa talebanët vazhdojnë ofensivën e tyre mbarëkombëtare kundër forcave qeveritare, raporton Anadolu Agancey (AA).

“Përpara qëndron ose një negociatë e vërtetë paqeje ose kriza të ndërthurura tragjikisht: Një konflikt gjithnjë e më brutal i kombinuar me një situatë akute humanitare dhe shumëfishim të abuzimeve të të drejtave të njeriut”, tha Lyons në Këshillin e Sigurimit.

“Sot ne kemi një mundësi, një mundësi për të demonstruar angazhimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe komunitetit ndërkombëtar që ju përfaqësoni për të parandaluar që Afganistani të mos bjerë në një situatë të katastrofës aq serioze saqë do të kishte pak, nëse ka, paralele me këtë shekull”, tha ajo.

“Një katastrofë e tillë do të kishte pasoja shumë përtej kufijve të Afganistanit”, shtoi Lyons.

Vlerësimet e OKB-së tregojnë se mbi 1.000 njerëz janë vrarë gjatë muajit të kaluar teksa talebanët synojnë të kapin qytete të mëdha të mbajtura nga qeveria, ndërsa kanë marrë përgjegjësinë për disa sulme në kryeqytet, përfshirë atë që kishte në shënjestër Ministrin e Mbrojtjes të Afganistanit.

Më herët gjatë ditës, pesë persona u vranë pasi një granatë goditi një autobus pasagjerësh në provincën Maidan Wardak që gjendet në pjesën qendrore të Afganistanit, thanë burimet lokale për AA.

Administrata provinciale fajësoi talebanët për incidentin. Megjithatë, kryengritësit e hodhën poshtë akuzën dhe në vend të kësaj fajësuan forcat e sigurisë për sulmin.

Në jug, forcat afgane filluan një ofensivë të madhe tokësore dhe ajrore kundër avancimit të kryengritësve talebanë në Lashkargah, kryeqyteti i provincës Helmand.

Gjenerali Sami Sadat, një komandant i ri i Korpusit 215 Maiwand të Ushtrisë Kombëtare Afgane, po kryeson ofensivën me mbështetjen e sulmeve ajrore amerikane, thanë burimet për AA.

Zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahed, pohoi në një seri postimesh në Twitter se asnjë dëm nuk i kishte goditur luftëtarët e tyre, por shumë dyqane dhe tregje u shkatërruan.

Vala e re e përplasjeve vdekjeprurëse shpërtheu javën e kaluar kur, pasi pushtuan gati 200 qarqe rurale, talebanët filluan sulmet ndaj qyteteve të mëdha, ndërsa marshuan në qytetin Herat pranë kufirit iranian, duke shkaktuar panik dhe ankth në qytetin e tretë më të madh me rreth gjysmë milion banorë. /aa