OKB: Pesë milionë fëmijë vdiqën para ditëlindjes së pestë në 2021

Rreth pesë milionë fëmijë vlerësohet të kenë vdekur para ditëlindjes së tyre të pestë në vitin 2021, sipas të dhënave të OKB-së.

Vlerësimet më të fundit të publikuara nga Grupi Ndëragjencior i Kombeve të Bashkuara për Vlerësimin e Vdekshmërisë së Fëmijëve (UN IGME) zbuluan gjithashtu se 2,1 milionë fëmijë dhe të rinj të moshës 5-24 vjeç humbën jetën gjatë së njëjtës periudhë, që korrespondon me vdekjen e një fëmije ose të riu çdo 4,4 sekonda.

Një raport i veçantë nga IGME i Kombeve të Bashkuara, zbuloi se 1,9 milionë foshnja kishin lindur të vdekur në vitin 2021.

”Shumë nga vdekjet do të ishin shmangur me një kujdes më të mirë shëndetësor”, thuhet në raport.

“Një tragjedi e tillë e përhapur dhe e parandalueshme nuk duhet pranuar kurrë si e pashmangshme,” theksoi Vidhya Ganesh nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për fëmijë, UNICEF.

“Progresi është i mundur me vullnet më të fortë politik dhe investime të synuara në aksesin e barabartë në kujdesin bazë shëndetësor për çdo grua dhe fëmijë”, shtoi Ganesh.

IGME paralajmëroi se ”gati 59 milionë fëmijë dhe të rinj do të vdesin para vitit 2030 nëse nuk ndërmerren veprime të shpejta për të përmirësuar shërbimet shëndetësore”.

Raportet treguan gjithashtu se pavarësisht se përbën vetëm 29 për qind të lindjeve të gjalla globale, Afrika Subsahariane përbënte 56 për qind të të gjitha vdekjeve nën pesë vjeç në vitin 2021, me fëmijët e lindur në rajon në rrezikun më të lartë të vdekjeve foshnjore në mbarë botën.