OKB: Rreth 2 milionë njerëz janë të zhvendosur brenda vendit në Mianmar

Kombet e Bashkuara (OKB) njoftuan se rreth 2 milionë njerëz u zhvendosën brenda vendit për shkak të konflikteve të vazhdueshme në Mianmar dhe përmbytjeve të shkaktuara nga shirat muson, transmeton Anadolu.

Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) ka publikuar një raport të ri për Mianmarin.

“Konfliktet e vazhdueshme dhe përmbytjet në Mianmar vazhdojnë të shkaktojnë zhvendosje të reja, viktima civile dhe shkatërrim të pronës civile. Kjo situatë përkeqëson më tej situatën tashmë të rëndë humanitare në Mianmar. Përafërsisht 2 milionë njerëz aktualisht jetojnë në kushte të paqëndrueshme, janë të zhvendosur brenda vendit dhe kanë nevojë për ndihmë për shpëtimin e jetës”, thuhet në raport.

Po ashtu në raport thuhet se partnerët humanitar vendas dhe ndërkombëtarë vazhduan të rrisin shkallën e tyre të ndihmës për të adresuar nevojat e thelluara dhe ndihmat arritën tek të paktën 1.8 milion njerëz në gjysmën e parë të 2023.

Thuhet se nevojitet mbështetje financiare shtesë për të plotësuar nevojat humanitare në vend.

Grusht shteti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit mori qeverinë më 1 shkurt 2021, pas akuzave për mashtrim në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2020 dhe tensionit politik në vend.

Ushtria arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të partisë në pushtet, veçanërisht udhëheqësen de fakto të vendit dhe ministren e Punëve të Jashtme, Aung San Suu Kyi dhe u shpall gjendje e jashtëzakonshme për një vit.