OKB: Sëmundjet infektive po shtohen në Gaza

Kombet e Bashkuara (OKB) njoftuan se sëmundjet infektive janë shtuar në Rripin e Gazës, ku Izraeli ka vazhduar sulmet për tetë muaj dhe ka shkaktuar fatkeqësi humanitare, transmeton Anadolu.

“Organizata Botërore e Shëndetësisë ka raportuar një rritje të sëmundjeve infektive në Gaza, duke përfshirë diarrenë dhe rastet e dyshuara të hepatitit A”, thuhet në deklaratën e bërë në llogarinë X në rrjetet sociale të Agjencisë së OKB-së për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinë (UNRWA),

Në deklaratë thuhet se UNRWA vazhdon të ofrojë shërbime shëndetësore dhe theksohet se mbipopullimi në strehimoret ku ndodhen palestinezët e zhvendosur, si dhe kushtet e kufizuara higjienike që vijnë nga shpërngulja e detyruar, paraqesin rreziqe serioze për shëndetin.

Në deklaratë përsëritet thirrja për një armëpushim në Gaza dhe tha: “Ne kemi nevojë për një armëpushim tani”.

Sipas të dhënave të Zyrës për Media të qeverisë në Gaza, sëmundje infektive u zbuluan në mbi një milion palestinezë për shkak të shpërnguljeve të detyruara në Rripin e Gazës, ndërsa u regjistruan rreth 20 mijë raste të hepatitit A.

Palestinezët shpesh zhvendosen me forcë teksa ushtria izraelite zgjeron sulmet e saj tokësore, veçanërisht në qytetin Rafah në Rripin e Gazës.