Fotografja dhe punonjësja humanitare e OKB-së, Olga Cherevko, e cila dokumentoi nga afër vuajtjet e civilëve në Gaza, nuk po lejohet të kthehet më në territor, sipas raportimeve mediatike.
Cherevko, e rritur në baza ushtarake në Siberi dhe me përvojë pune në disa nga zonat më të rrezikshme të botës, thotë se asgjë nuk e kishte përgatitur për skenat që pa në Gaza. Përmes fotografive të saj, ajo solli dëshmi të forta të pasojave të luftës mbi civilët.
Imazhet e publikuara tregojnë trupin e një gruaje të shtrirë pranë një karroce të goditur nga raketa, me dyshekë dhe sende familjare të shpërndara përreth; një burrë të plagosur në shtratin e spitalit, me këmbë të dobësuara nga uria dhe plagët; një ambulancë të shkatërruar pranë një spitali të djegur; një automjet të Kombeve të Bashkuara të njollosur me gjak, si dhe fëmijë që ecin në ujë deri në gjunjë brenda një kampi me tenda.
Sipas saj, këto pamje pasqyrojnë realitetin e përditshëm të banorëve të Gazës, duke zbuluar shkallën e shkatërrimit dhe krizës humanitare. Megjithatë, pas publikimit të këtyre dëshmive, autoritetet izraelite nuk i kanë lejuar asaj rikthimin në Gaza. /mesazhi








