Opozita, për deklaratën e Delawies: Shihet se Thaçi s’është koordinuar me aleatët, por ne do ta votojmë Ushtrinë

Ambasadori amerikan, Greg Delawie, edhe një herë ka ripërsëritur qëndrimin e tij rreth krijimit të Ushtrisë së Kosovës, duke theksuar se SHBA-të kanë qenë të qarta se themelimi i saj duhet të bëhet përmes ndryshimit të amendamenteve kushtetuese.

Delawie, në një intervistë për Telegrafin theksoi se Kuvendi duhet “ta bëjë gjënë e duhur dhe ta hedh poshtë këtë projektligj”.

“Deklarata e ambasadorit amerikan, lidhur me Ligjin për FSK-në, dëshmon mos koordinimin e Thaçit me partnerët strategjikë të Kosovës”, ka thënë për Telegrafin, deputeti i VV-së, Rexhep Selimi.

Selimi ka potencuar se deputetët janë të gatshëm t’i votojnë ndryshimet ligjore, sa i përket transformimit të FSK-së në Ushtri.

“Ne jemi të gatshëm t’i votojmë ndryshimet ligjore, ashtu siç kemi qenë të gatshëm t’i votojmë edhe ndryshimet kushtetuese në 2014-ën, për FAK-un”, u shpreh Selimi.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se pajtohen që themelimi i Ushtrisë së Kosovës duhet të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, por thotë se për këtë kanë pritur katër vite.

“Edhe sot nuk dëshirojmë dhe nuk jemi të mendimit që të bëhet diçka në kundërshtim me idenë dhe vizionin e përbashkët me miqtë tanë për Kosovën”, ka thënë Lekaj për Telegrafin.

Ai ka theksuar se zhvillimet e fundit në botë dhe sidomos në rajon e kanë bërë të nevojshme dhe urgjente krijimin e një force ushtarake e cila do të ishte në gjendje të ruante territorin e Kosovës dhe do të kontribuonte në stabilitetin e rajonit e më gjerë – kudo ku e thërret NATO.

I pyetur rreth mundësisë për mos votimin e këtij Projektligji nga ana e deputetëve, Lekaj u shpreh se “deputetët do ta thonë të veten, gjithsecili me vullnetin e tyre të lirë”.

Deputeti i AAK-së theksoi se si grup parlamentar do ta mbështesin këtë Projektligj, kurdo që do të dërgohet për votim në Kuvend.