Osmani dhe Gjukanoviq kundër “Open Balkan”: Procesi i Berlinit është nisma që i duhet rajonit

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq sot në një konferencë për media theksuan se Procesi i Berlinit është iniciativa për bashkëpunim ku duhet të fokusohet Ballkani Perëndimor dhe jo “Open Balkan”.

Presidentja e vendit, Osmani në pyetjen e Telegrafit rreth iniciativës “Open Balkan” tha se nga takimi i fundit i G7 është potencuar se bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor përkrahet në kuadër të Procesit të Berlinit ku Kosova ka treguar konstruktivitet dhe ka për qëllim t’i ofrojë vendet e rajonit drejt BE-së.

“Për dallim prej ‘Open Balkan’ që ka dëshmuar sidomos muajt e fundit se do të rezultonte me hapjen e rajonit tonë për një ndikim më të madh të Rusisë dhe këtë duhet ta ndalojmë me çdo kusht… Po ashtu në vend se ta përshpejtonte ecjen e shteteve tona drejt BE-së do t’i vendoste në dhomë të pritjes dhe do ta zgjaste procesin e integrimit”, tha ajo.

Presidentja e vendit tha se si Kosovë vazhdojnë të mbajnë qëndrimin e njëjtë, bashkëpunim rajonal por në kuadër të Procesit të Berlinit.

Ajo po ashtu tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe Serbia nuk mund të flasin për bashkëpunim e parime evropiane kur tentojnë të vendosin çdo pengesë të mundshme ndaj Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, organizatë kjo që ka të bëjë me të drejtat e njeriut.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në konferencë për mediaNdërkaq, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq tha se nuk janë pjesë e iniciativës “Open Balkan”.

“Jemi shumë të vetëdijshëm për mundësinë e bashkëpunimit rajonal ekonomik…Ky orientim parimor nuk do të thotë se i kemi sytë mbyllur. Por, ne mendojmë se në këtë temë kemi një iniciativë të mirë të Procesit të Berlinit… Kjo iniciativë është komplementare në rrugën drejt integrimit evropian….”, tha ai.

Sipas tij, ‘Open Balkan’ ka rrjedhë në një moment të depresionit në rajon, kur e ka përfunduar mandatin kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kur u mendua se është vënë në pikëpyetje integrimi evropian.

“Në vend që të kemi nevojë që të krijojmë iniciativa të reja, t’i shfrytëzojmë potencialet e iniciativave që janë”, tha ai.

Ndërkaq, duke folur për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, presidenti malazez tha se Mali i Zi e mbështetë Kosovën.