Osmani i drejtohet Selakoviqit në OKB: Mos na mbaj ligjërata këtu

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është përplasur me ministrin e Jashtëm të Serbisë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB’së ku po diskutohet për Kosovën.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është kundërpërgjigjur ministrit të Jashtëm të Serbisë në OKB, Nikolla Selakoviq në lidhje me deklaratat e tij për marrëveshjen e Brukselit si dhe aksionet e Policisë në veri.

Ajo tha se Kosova ka sjellë ide të reja në tavolinë e dialogut në Bruksel dhe se Serbia ka refuzuar gjithçka, shkruan lajmi.net.

“Sot Kosova vazhdon që të jetë një avokuese shumë e madhe e paqes. Në muajt e fundit Kosova ka sjellë ide në tavolinë dhe Serbia ka refuzuar gjithçka. Serbia duhet të angazhohet që të sjellë ide në tavolinë dhe të mirëkuptohet se realiteti i Kosovës së pavarur nuk do të ndërrojë”, tha ajo.

Madje sa i përket Asociacionit, Osmani iu drejtua Selakoviqit me fjalët “mos na mbani ligjërata”.

“Ne duhet të prezentojmë interesin e vendit tonë në mënyrën më të mirë për të zhdukurit gjatë luftës. Nëse dëshirojmë të jemi të suksesshëm duhet që homologët të zbatojnë marrëveshjen e Brukselit. Nëse flasim për Asociacionin multietnik sipas Kushtetueses është e qartë që marrëveshja ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën”, ka thënë Osmani.

“Zoti Selakoviq mos na mbani ligjërata për këtë sepse Serbia po i injoron pjesët Ligjore të Marrëveshjes së Brukselit. Strukturat kriminale kanë vazhduar me terror dhe nuk i kanë lejuar të vazhdojnë serbët e Kosovës që të integrohen. Më lejoni që të jem e qartë, lufta kundër krimit dhe korrupsionit në veri dhe jug nuk është e negociueshme. Tetë qytetarë të Kosovës janë arrestuar, gjashtë kanë qenë shqiptarë. Të gjithë kanë qenë në dijeni që ky ka qenë një veprim ligjor, ambasada e SHBA-ve, KFOR-i dhe QUINT-I”, ka thënë Osmani.