Osmani i thotë Escobarit e Lajçakut: Serbia bllokuese e progresit në dialog

Osmani i thotë Escobarit e Lajçakut: Serbia bllokuese e progresit në dialog
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, dhe me zv.ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Gabriel Escobar, për të diskutuar mbi temën e dialogut.

Osmani në takim ka thënë se Kosova është e përkushtuar për një dialog që ka në qendër njohjen reciproke dhe se e ka dëshmuar këtë me angazhimin aktiv.

“Është tashmë e qartë se Serbia po e bllokon progresin në dialog përmes qasjes së saj jokonstruktive”, ka thënë Osmani, është njoftuar nga Presidenca.

Osmani ka thënë se lista e marrëveshjeve që nuk janë zbatuar nga Serbia është më e gjatë dukshëm dhe se duhet trajtuar urgjentisht.

“Ajo tha se Serbia jo vetëm që vazhdon të mos zbatojë marrëveshjet e mëparshme, por ajo gjithashtu shfaq pengesa të qarta sa herë që marrin pjesë në takimet e organizuara në kuadër të dialogut në Bruksel. Në këtë drejtim, Presidentja tha se pret trajtim të barabartë të palëve në këtë proces nga ana e Bashkimit Evropian si ndërmjetësues i dialogut. Presidentja po ashtu theksoi edhe një herë rëndësinë absolute të ndriçimit të fatit të personave të zhdukur me dhunë si prioritet i procesit të dialogut”, thuhet në njoftimin e Presidencës.