Osmani kërkon të respektohen rregullat e liberalizimit, thotë se fokusi sivjet ishte garantimi i sigurisë

Presidentja Vjosa Osmani gjatë takimit të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut të enjten, ka bërë thirrje për qytetarët e Kosovës që t’i respektojnë rregullat që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave.

Osmani ka thënë tutje se gjatë këtij viti, sidomos në pjesën e dytë të tij, në fokus ka qenë ruajtja dhe garantimi i sigurisë në vend për shkak të agresionit të Serbisë.

“Siç e dini fokusi gjatë këtij viti ka qenë tekë ruajtja dhe garantim i sigurisë në vend për shkak të sfidave që paraqiten nga fqinji jonë Serbia. Në takimin e fundit të këtij Këshilli tema ka qenë dhuna në baza gjinore. Dhuna vazhdon që të jetë një kambanë alarmuese, kishim rastin e Liridona Ademajt që janë shndërruar në tragjedi”, ka thënë ajo.

Osmani më tej ka përmendur rangimin në disa fusha si arritje të Kosovës gjatë këtij viti. Po ashtu ka përmendur edhe aplikimin në Këshill të Evropës dhe kalimin në fazën e parë.

“Viti përpara kërkon koordinim të vazhdueshëm institucional dhe veprime të mëtejme konkrete me qëllim të arritjes së objektivave dhe shënimit të sukseseve të fusha të ndryshme të cilat ua kemi borxh qytetarëve tanë”, është shprehur Osmani.

Ajo tha se gjatë periudhës janar-tetor mbi 80 për qind e rasteve të dhunës kanë qenë gra, sipas saj, shumica dërmuese e rasteve që kanë ndodhur kanë mundur që të parandaloheshin nëse do të kishte veprim të menjëhershme të institucioneve, raporton EO.

“Siç shihet gjatë periudhës janar-tetor mbi 80 për qind gra, duhet të sigurohem që të fuqizohen të gjitha mekanizmat përgjegjës. Shumica dërmuese e vrasjeve që kanë ndodhur në Kosovë kanë mundur të parandalohen nëse do të kishte veprime të menjëhershëm të institucioneve.”

“Me lejoni që ta shpreh pakënaqësinë time që ligji për zgjedhjet e përgjithshme nuk mori parasysh rekomandimet e këtij grupi”, tha ajo.