Osmani kujton masakrën e familjes Berisha: S’do të heshtim në kërkim të drejtësisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në 25 vjetorin e masakrës së familjes Berisha në Suharekë, ka thënë se nuk do të heshtin në kërkim të drejtësisë.

46 anëtarë të familjes Berisha i masakruan nga forcat ushtarake të Serbisë, e disa prej tyre ende janë të zhdukur.

Osmani ka thënë se drejtësia për viktimat dhe zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë janë synim i vazhdueshëm.

“25 vjet më parë, 46 anëtarë të familjes Berisha në Suharekë u masakruan në pragun e shtëpisë së tyre nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë. Edhe më e rëndë është dhimbja nga fati i pazbardhur i një pjese të anëtarëve të familjes Berisha. Nga kjo masakër e tmerrshme, Vjollca me të birin Gramozin dhe Shyhretja, shpëtuan dhe janë dëshmi e brutalitetit të regjimit kriminal serb. Në kërkim të drejtësisë, respektit ndaj viktimave dhe familjeve nuk do të heshtim asnjëherë. Drejtësia për viktima dhe zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë janë synim i vazhdueshëm”, ka shkruar Osmani.