Osmani – Lajçakut: Fjalën përfundimtare rreth një marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak po qëndron për vizitë në Kosovë.

Pas takimit me emisarin Lajçak, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se gjatë këtij takimi është diskutuar për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë.

Osmani ka ritheksuar se Kosova mbetet e angazhuar për një proces që i kontribuon paqes afatgjatë, sigurisë dhe prosperitetit të qëndrueshëm në rajon, përcjell teve1.info

Ajo po ashtu është shprehur se Kosova mbetet palë konstruktive në dialog, teksa shtoi se fjalën përfundimtare rreth një marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi.

“Presidentja Osmani potencoi se aneksi i zbatimit të marrëveshjes bazë, të dakorduar në Bruksel, duhet të jetë në frymën e parimeve të miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, gjegjësisht, paprekshmërisë së sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutshmërisë dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës. Tutje, Presidentja Osmani ka thënë se Kosova mbetet palë konstruktive në procesin e dialogut dhe e koordinuar me partnerët e saj, ndërsa ka ritheksuar se fjalën përfundimtare rreth një marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës në përputhje me procedurat kushtetuese”, thuhet në njoftim.

Në njoftimin e Presidencës po ashtu potencohet se Osmani ka mirëpritur vendimin e sotëm të Këshillit të Bashkimit Evropian ku në mënyrë unanime është miratuar e drejta e qytetarëve të Kosovës për të udhëtuar në shtetet e zonës Schengen pa vizë.

Lajçak do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti.