Osmani mbledh strukturat e sigurisë pas sulmeve ndaj Policisë në veri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbledhur të premten strukturat e sigurisë së Kosovë, pas sulmeve ndaj Policisë në tri ditët e fundit në veri, ka mësuar KOHA nga burimet e saj.

Osmani po diskuton më këto struktura për situatën e sigurisë dhe hapat e mëtutjeshëm.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur përmes një konference për media të premten se Policia e Kosovës është sulmuar katër herë në tri ditët e fundit në pjesën veriore.

Ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se dy vetura të Policisë së Kosovës të cilat po bartnin zyrtarë policorë për në pikat kufitare në veri, janë sulmuar vetëm në mëngjesin e së premtes.