Osmani mirëpret vendimin e SHBA-së për sanksione ndaj grupit të Veselinoviqit për krim të organizuar në veri

SHBA-ja, ka vendosur sanksione ndaj grupit të Zvonko Veselinoviqit për krim të organizuar në veri të Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani ka përshëndetur vendimin e SHBA-së, duke thënë se institucionet e vendit janë të përkushtuara ndaj sundimit të ligjit dhe do të bashkëpunojnë ngusht me Amerikën.

“I mirëpres sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Veselinoviqit dhe grupit të tij të krimit të organizuar në veri të Kosovës”.

“Institucionet janë plotësisht të përkushtuara ndaj sundimit të ligjit dhe do të bashkëpunojnë me 🇺🇸 për të siguruar që rajoni ynë të mos bëhet një parajsë e sigurt për grupe të tilla kriminale”, tha Osmani në Twitter.

Ndryshe, Përveç Zvonko Veselinoviçit në listë janë edhe i vëllai Zharko Veselinoviç, pastaj Zhelko Bojiç, Milan Mihajloviq, Sinisha Nedeljkoviq, Radovan Radiq, Milan Radisavleviq, Milojko Radisavleviq, Milan Radojçiq, Marko Rosiq, Radule Steviq, Milivoje Vuloviq.

Grupi akuzohet pos tjerash për marrëveshje me politikanët për të ndihmuar fitoren e tyre në zgjedhje dhe mbështetjen financiare për ta.

Në këmbim, politikanët do t’u jepnin vëllezërve kontratat më të mira të infrastrukturës dhe kontrollin e zonave të caktuara për bizneset e tyre.