Osmani në Prekaz: 28 nëntori na kujton sakrificat e bëra me shekuj që të jetojmë të lirë

Pas homazheve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, presidentja Vjosa Osmani u ka uruar shqiptarëve 28 nëntorin, ditën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Osmani tha se kjo datë i kujton secilit sakrificat që janë bërë “në mënyrë që të gjithë të jetojmë të lirë”, raporton teve1.info

“Është pikërisht flamuri kuq e zi dhe data 28 nëntor që është ditë që na kujton secilit prej nesh çmimin e lirisë, çmimin e lartë të lirisë, por njëkohësisht dhe sakrificat që janë bërë për shekuj në mënyrë që të gjithë të jetojmë të lirë. Sot shqiptarët kudo që janë e shënojnë këtë ditë e njëkohësisht është edhe moment reflektimi për të gjithë atë që heronjtë tanë kanë bërë për shqiptarët kudo që janë që nga heroi Gjergj Kastrioti Skënderbeu, e deri te Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Isa Boletini edhe te heronjtë e viteve të 90-ta në krye me komandatin legjendar Adem Jashari”, deklaroi ajo.

“Lavdi gjithë atyre që kanë dhënë gjithçka për lirinë e Shqipërisë, për lirinë e Kosovës dhe respekt i jashtëzkaonshëm për familjen Jashari”, shtoi e para e shtetit.