Osmani pas takimit me Michel: Shpresoj që çështja e liberalizimit të vizave të përmbyllet sa më shpejt

Presidentja Vjosa Osmani është deklaruar për media pas takimit që pati me presidentin e Këshillit të Evropës, Charles Michel.

Osmani tha se nuk do të gjendet edhe një popull më i përkushtuar se sa ai i Kosovës ndaj vlerave dhe lirive që përfaqëson BE-.

“Përkushtimi i popullit dhe institucioneve për t’iu bashkuar BE-së është i palëkunduar. Dua të falënderoj BE-në për mbështetjen e pashoqë për Kosovën, për investimet e fuqishme në fuqizimin e demokracisë, shoqërisë civile, sundimit të ligjit, në infrastrukturë, në aspektet ekonomike dhe në jetën e përditshme të qytetarëve tanë.Ka ardhur koha që të ngrisim marrëdhëniet tona, ndërmjet vendit tonë në institucionet evropiane në në një nivel më të lartë, prandaj e mirëpres këtë vizitë si një hap të lartë.Jemi përballur me një situatë të re në Evropë, me dinamika të reja, përderisa jemi të përkushtuar për synimet tona kemi nevojë për përkrahjen.Pavarësisht përkushtimit tonë ndaj vlerave dhe lirive , mospërmbushja e premtimeve në raport me rajonin tonë e teston edhe besueshmërinë e BE-së, duke lënë ndonjëherë edhe hapësirë për ndikim të jashtëm.Dua t’u siguroj se populli i Kosovës do të mbetet stoik me refuzimin e ndikimeve ruse dhe ndikime të tjera të rrezikshme, por kemi nevojë urgjente që edhe BE-ja ta bëjë të qartë perspektivën evropiane të të gjithë rajonit tonë, në veçanti të Republikës sonë.”, tha Osmani, shkruan lajmi.net.

Tutje Osmani theksoi se e para dhe kryesorja është liberalizimi i vizave, por se ky proces është vonuar edhe pse të gjitha kriteret janë përmbushur nga Kosova.

“Duhet të kemi një angazhim aktiv, që të gjitha shtete anëtare të votojnë pro liberalizimit të vizave, pasi deri tani ka ekzistuar një diskriminim i qartë, një padrejtësi e thellë e ne do të vazhdojmë të jemi të zëshëm derisa të hiqet çdo pengesë.Falënderoj çdo shtet që ka qenë i zëshëm në mbështetje të liberalizimit të vizave për Kosovën. Shpresoj që kjo çështje të përmbyllet sa më parë.Kosova është e përkushtuar që të ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshmeve për t’iu bashkuar BE-së. Do të aplikojmë deri në fund të vitit si vend kandidat në BE, e pres që së bashku të punojmë që ky veprim të ketë sukses. Kosova është e përkushtuar po ashtu ndaj dialogut me Serbinë, për Kosovën dialogu nuk është vetëm kërkesë e komunitetit ndërkombëtarë, por proces jetik që t’i shtyjmë të dyja vendet ndaj Evropës.”, shtoi ajo.

Osmani theksoi gjithashtu se Kosova ka dëshmuar qëndrimin e saj në lidhje me agresionin e Rusisë në Ukrainë, kur ka vendosur sanksionet e saj ndaj Rusisë.

“Dje Parlamenti Evropian po ashtu ka konfirmuar nevojën për liberalizim të vizave për Kosovën. Një Evropë e bashkuar, e lirë dhe në paqe është e paplotë pa Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. Ne i përkasim familjes evropiane dhe kemi qenë gjithnjë pjesë e kësaj familje. Prandaj është thelbësore që rruga drejt BE-së të mbetet e qartë dhe thelbësore. Republika e Kosovës është bashkërenduar qartë me BE-në, sa i përket luftës së fundit në Ukrainë. Kemi miratuar sanksione menjëherë ndaj Rusisë, kemi ofruar përkrahjen tonë të plotë për popullin e Ukrainës sepse besojmë se vlerat mbi të cilat është ndërtuar BE-ja dhe Kosova, janë në rrezik nga ana e Rusisë. Prandaj do të punojmë së bashku që t’i dalim në ndihmë popullit të Ukrainës, gjithnjë duke ndaluar tendencat destabilizuese., përfundoi Osmani.