Osmani premton mundësi të barabarta për të gjitha komunitetet në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëhequr takimin e radhës të Këshillit Konsultativ për Komunitete, me të cilët ka bashkëbiseduar për sfidat dhe shqetësimet që kanë komunitetet, raporton teve1.info

Sipas Presidentes Osmani, punësimi pa dallim përkatësie, ruajtje dhe zbatimi i karakterit shumë-gjuhësor të shoqërisë kosovare, që paraqet vlerat e saj unike shpirtërore, intelektuale, historike dhe kulturore, janë disa nga prioritetet dhe angazhimet e përditshme.

“Është angazhim i yni i përditshëm t`i sigurojmë mundësitë e barabarta për punësim në funksion të përmbushjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim përkatësie, si një parakusht përmbajtjesor për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe realizim të potencialit të secilit”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Ndërkaq për çështjen e gjuhës dhe zbatimit të drejtave gjatë shpalljes së konkurseve në gjuhët zyrtare në Republikën e Kosovës, Presidentja Osmani ka theksuar se janë prioritet dhe se së shpejti priten rezultate konkrete, posaçërisht në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Policinë e Kosovës.

Sipas Presidentes, vetëm në këtë mënyrë, komunitetet jo-shumicë mund ta realizojnë potencialin e tyre.