Osmani takohet me presidentin e Kenias, diskutohet thellimi i raporteve të të dyja shteteve

Presidentja, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Dubai, ku po mbahet COP28, konferenca kryesore globale për ndryshime klimatike, ka zhvilluar një takim me presidentin e Republikës së Kenias, William Ruto.

Në takim u diskutua për raportet dypalëshe Kosovë-Kenia si dhe zhvillimin e mëtejmë të tyre.

Në komunikatë për media thuhet se Osmani ka theksuar se thellimi i raporteve në mes të dy shteteve është në të mirë të qytetarëve tanë dhe do ta nxisë shkëmbimin ekonomik e tregtar në mes të vendeve tona.

Ajo e njoftoi Presidentin e Kenias për sfidat në të cilat ka kaluar Kosova si dhe për të arriturat e shtetit tonë.

Osmani dhe Presidenti Ruto rikonfirmuan përkushtimin e përbashkët për të punuar drejt thellimit raporteve në mes të Kosovës dhe Kenias.