Osmani takon Ramën të enjten

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do ta presë të enjten në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Presidenca ka njoftuar se takimi zhvillohet nga ora 16:00. Ndërsa, kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar gjatë së mërkurës se nuk do të takohet me Ramën, pa pasur mbledhje mes dy qeverive.

“Unë jam i gatshëm të takohem me kryeministrit Edi Rama në kuadër të mbledhjes së dy qeverive, jo pa këtë mbledhje”, është shprehur Kurti.

Më 13 qershor, kryeministri i Shqipërisë kishte anuluar mbledhjen e përbashkët me Qeverinë e Kosovës, që do të mbahej në Gjakovë.

“E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euro-atlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar. Pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë evropiane Josep Borrell, i kam kërkuar Albinit të takohemi nesër në Gjakovë, në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes, për të diskutuar për këtë situatë”, kishte thënë Rama.