Pacientët në Rripin e Gazës vazhdojnë të mbeten në pasiguri, pavarësisht ditës së parë të rihapjes së pjesshme të pikës kufitare Rafah mes Gazës dhe Egjiptit, pas gati dy vitesh mbyllje.
Deri më tani, vetëm pesë pacientë kanë arritur të largohen nga Gaza për të marrë trajtim mjekësor jashtë vendit. Kjo shifër është shumë më e ulët se pritshmëritë, pasi sipas njoftimeve paraprake ishte parashikuar që rreth 50 pacientë të lejoheshin të dilnin çdo ditë.
Rihapja e kufizuar e kalimit nga ana e Izraelit nuk ka sjellë ende përmirësim të ndjeshëm për mijëra të sëmurë që kanë nevojë urgjente për trajtim mjekësor jashtë Gazës.
Situata mbetet veçanërisht e rëndë në jug të Gazës, ku shumë pacientë dhe familjet e tyre shprehin zhgënjim dhe frikë se rihapja simbolike nuk do të mjaftojë për të shpëtuar jetët e atyre që kanë nevojë për kujdes të specializuar. /mesazhi








