Pacolli takon homologun hungarez, sigurohet për mbështetje në INTERPOL

Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, në vazhdën e takimeve bilaterale gjatë punimeve të Forumit të Dubrovnikut ka takuar Ministrin e Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijarto.

Pacolli e ka falenderuar homolgun e tij hungarez për përkrahjen e deritanishme për Kosovën dhe ka kërkuar vazhdimin e përkrahjes për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, procesin e liberalizimit të vizave si dhe në rrugën e mëtutjeshme të Kosovës drejt integrimeve evropiane.

Ministri hungarez ka siguruar kryediplomatin kosovar se Kosova do të vazhdojë ta ketë përkrahjen e Hungarisë aty ku ka nevojë, njofton Klan Kosova.

Ai po ashtu u interesua edhe për rrjedhën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe kërkoi që zgjidhja që do të arrihet të jetë stabilizuese për rajonin derisa shtoi se Hungaria do të përkrahë zgjidhjen që arrihet në mes të dy palëve negociuese.