Pahor i gatshëm për pozitën e emisarit në dialogun Kosovë-Serbi

Borut Pahor

Ish-kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor, mund të marrë pozitën e të dërguarit evropian për dialogun Kosovë-Serbi, për çfarë vetë ai ka shprehur interesim.

Për këtë ai ka marrë edhe mbështetjen e vendit të tij, gjë të cilën ai është shprehur se e vlerëson shumë.

“I jam mirënjohës të gjithëve për mbështetjen, madje edhe atyre që mund të mos jenë përgjigjur që do të kishin komente kritikuese. Kështu që kam ndjenjën se e gëzoj këtë mbështetje në Slloveni dhe kjo do të thotë shumë për mua”.

Duke folur për radiotelevizionin slloven, Pahor, ka konfirmuar se kandidatura e tij do të dorëzohet në Bashkimin Evropian.

“Po përgatitem me shumë kujdes dhe përgjegjësi, ndoshta këtë javë kandidatura ime do të udhëtojë nga zyra ime dhe Ministria e Punëve të Jashtme për në Bruksel, në të cilën do të shpjegoj arsyet pse ndihem i përshtatshëm për ta zgjidhur këtë çështje”, ka thënë Pahor, transmeton KlanKosova.tv.

“E fundit, por jo më pak e rëndësishme, Sllovenia, ashtu si unë, më duket mua, ka statusin e një ndërmjetësi të ndershëm, përvojë të pasur në këtë rajon dhe, natyrisht, gjithashtu një sërë idesh se si të rifreskohet ose ringjallet ky dialog i ngecur. Në përgjithësi, situata e sigurisë dhe ajo politike në rajon janë shumë shqetësuese”.Për cilësimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se shteti slloven është i neveritshëm, Pahor ka thënë se me të tilla deklarime “po vjen koha që duhet mësuar”.