Ballina Lajmet Pakistan, policia dyshon se talebanët dogjën 12 shkolla

Pakistan, policia dyshon se talebanët dogjën 12 shkolla

Policia dyshon se militantët talebanë janë përgjegjës për djegien e 12 shkollave në Pakistan, njoftoi sot një zyrtar policor i Pakistanit, raporton Anadolu Agency (AA).

Shkollat, të cilat së paku gjysma kanë qenë për vajza, janë djegur të premten në Chilas, zonë në pjesën veriore të rajonit Gilgit-Baltistan.

Në operacionet antiterroriste që vijuan pas djegies së shkollave, së paku një militant i dyshuar taleban është vrarë, ndërsa edhe 31 të tjerë janë arrestuar, deklaroi për gazetarët në Chilas, Sanaullah Abbasi, shef i policisë së Gilgit-Baltistan.

Një polic është vrarë, ndërsa një tjetër është plagosur në përleshjet me militantët. “Kërkimi ende është në vazhdim në zona të ndryshme të Chilas-it për të eliminuar të gjitha strehimoret e forcave militante në këtë zonë”, tha Abbasi.

Ai shtoi se hetimi ka zbuluar se sulmuesit janë trajnuar në Afganistan. Asnjë grup i forcave militante ende nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmet.

Fituesja e Çmimit Nobël për Paqe, Malala Yousafzai, dënoi sulmet ndaj shkollave. “Ekstremistët treguan se çfarë i frikon më së shumti, vajzat me libra”, shkroi ajo të enjten në Twitter.

Ajo kërkoi që autoritetet menjëherë të rindërtojnë këto shkolla dhe nxënësit të kthehen në klasa.

Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, po ashtu dënoi sulmin.

Administrata e qarkut Diamera në një njoftim porositi se kanë filluar punimet për rindërtimin e shkollave të dëmtuara dhe mund të hapen sërish deri në fund të këtij muaji.