Palestina: GJNP të lëshojë urdhra arresti për kolonët e paligjshëm në Bregun Perëndimor

Palestina i kërkoi Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) të lëshojë urdhra arresti kundër kolonëve të paligjshëm izraelitë që kryejnë krime në Bregun Perëndimor dhe bëri thirrje për ndërhyrje ndërkombëtare për të detyruar Izraelin të ndalojë projektet e vendbanimeve kolone ilegale, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë, Ministria e Punëve të Jashtme e Palestinës i kërkoi gjykatës që të lëshojë me shpejtësi urdhra arresti për kolonët ekstremistë dhe mbështetësit e tyre që kryejnë krime kundër palestinezëve.

Ajo gjithashtu i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërhyjë urgjentisht për të detyruar Izraelin të ndërpresë të gjitha aktivitetet e vendbanimeve kolone, të shpërbëjë organizatat dhe milicitë e armatosura të kolonëve, të tërheqë armët, të ndalojë fondet dhe të ndëshkojë ata që ofrojnë mbështetje dhe mbrojtje.

Deklarata gjithashtu bëri thirrje për “imponimin e sanksioneve detyruese ndërkombëtare mbi gjithë sistemin e vendbanimeve kolone, duke e konsideruar atë të paligjshëm dhe jolegjitim”.

Kolonët e paligjshëm të premten kryen sulm masiv në fshatin Al-Mughayyir në verilindje të Ramallahut në Bregun Perëndimor, duke rezultuar në vrasjen e një të riu dhe plagosjen e dhjetëra palestinezëve, përveç 40 shtëpive dhe dhjetëra automjeteve që u dogjën.

Kolonët përsëritën të shtunën sulmet e tyre në disa fshatra dhe qytete palestineze në Ramallah dhe Nablus. Tensionet janë rritur në gjithë Bregun Perëndimor që kur Izraeli nisi një ofensivë ushtarake kundër Rripit të Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar.

Ndërsa kolonët e paligjshëm i kanë shtuar sulmet e tyre, ushtria izraelite i ka përshkallëzuar operacionet e saj, duke vrarë të paktën 463 palestinezë, duke plagosur 4.750 dhe duke arrestuar më shumë se 8.000 të tjerë, sipas burimeve palestineze.