Palestinezi i qëlluar nga forcat izraelite vdes në Bregun Perëndimor të pushtuar

Palestinezi, i cili u qëllua nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar të shtunën mbrëma, ka vdekur nga plagët e tij, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.

Zyrtarët e ministrisë thanë të dielën se tre të tjerë u plagosën në të shtënat izraelite.
Agjencia palestineze e lajmeve Wafa, duke cituar burime mjekësore, e identifikoi të vrarin si Mujahed Ahmad Daoud, një palestinez 31-vjeçar nga qyteti Qarawet Bani Hassan.

Daoud u dërgua me urgjencë në Spitalin Istishari në Ramallah, ku përpjekjet për të shpëtuar jetën e tij dështuan.

Ushtria izraelite tha se palestinezët kishin nisur “një trazirë të dhunshme” pranë Qarawet Bani Hassan të shtunën dhe ushtarët që kishin vepruar atje hapën zjarr.

Tensionet e larta

Incidenti vjen pas disa muajsh tensionesh që janë thelluar që kur Izraeli filloi një goditje në Bregun Perëndimor në mars, si përgjigje ndaj një serie sulmesh nga palestinezët në Izrael.
Forcat izraelite kanë kryer bastisje pothuajse ditore në muajt e fundit, të përqendruara kryesisht në qytetet Jenin dhe Nablus në Bregun Perëndimor, ku po shfaqet një valë e re e rezistencës së armatosur palestineze.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, që nga fillimi i vitit, të paktën 160 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, duke përfshirë 51 palestinezë gjatë sulmit tre-ditor të Izraelit në Gaza në gusht.

Tensionet kanë qenë gjithashtu të larta në Jerusalemin Lindor të pushtuar pasi policia izraelite mbylli kampin Shuafat javën e kaluar me pretekstin e kërkimit të një palestineze të dyshuar për vrasjen e një ushtareje izraelite.

Mbyllen vendkalimet 

Ushtria izraelite do të mbyllë kalimet midis Bregut Perëndimor dhe Izraelit për palestinezët gjatë ditës së fundit të festës së Sukkot, pasi forcat ishin tashmë në gatishmëri të lartë pas një fundjave të dhunshme.

Mbyllja, e cila përfshin edhe kalimet me Rripin e Gazës, do të fillonte të dielën në orën 16:00. dhe përfundon të hënën në orën 23:59. Vendkalimet kufitare u vendosën të rihapen “në varësi të një vlerësimi të situatës dhe në përputhje me orët e zakonshme të funksionimit”, thanë Forcat e Mbrojtjes të Izraelit. /mesazhi