Pandemia COVID-19, Asociacioni i Komunave të Kosovës kundër mbylljes së vendit

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës sot debatoi lidhur me mbylljen e paralajmëruar nga Qeveria e Kosovës në kuadër të parandalimit të përhapjes së pandemisë COVID-19.

Në këtë takim Bordi vlerësoi se është shumë e rëndësishme që masat kundër përhapjes së pandemisë të vazhdojnë të zbatohen në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve tanë, por vlerëson se nuk i përkrah masat e reja që sjellin kufizime më të ashpra.Ky vlerësim vjen për arsye se përkundër qëllimeve të mira shëndetësore, pasi kjo mbyllje do të ndikojë tepër rëndë në sektorë të caktuar të ekonomisë së vendit tonë, thuhet në komunikatë.

Kryetarët e Komunave vlerësojnë se duhet të respektohen masat aktuale me rigorozitet, por janë kundër kufizimeve duke kujtuar se është koha e të mbjellave, e edhe gastronomia është e lidhur me bujqësinë.

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës vlerëson se institucionet qendrore dhe shëndetësore duhet të vazhdojnë konsultimet me kryetarët e Komunave në nivel më të gjerë të përfshirjes, në mënyrë që të kemi vlerësim më real të gjendjes dhe bashkëpunimit mes nivelit qendror dhe lokal për formën dhe masat kufizuese.