Kreu i Vatikanit, Papa Leoni tha sot se po bëhet “urgjente” të bëhet dallimi mes artit njerëzor dhe “asaj që prodhojnë makinat” në epokën e inteligjencës artificiale, transmeton Anadolu.
“Në këtë epokë të inteligjencës artificiale, po bëhet urgjente të dallojmë artin njerëzor nga ajo që prodhojnë makinat”, shkroi Papa në platformën amerikane të mediave sociale X.
Ai vuri në dukje një dallim ontologjik mes artit dhe asaj që një makinë mund të gjenerojë përmes llogaritjeve statistikore, bazuar në miliona imazhe të krijuara nga të tjerët.
“Algoritmeve u mungon shkëndija e njerëzores”, tha ai.
Një sërë incidentesh të fundit, në të cilat inteligjenca artificiale ka tejkaluar atë që shumëkush e konsideronte të mundur, së bashku me paralajmërimet nga persona të brendshëm të industrisë së inteligjencës artificiale, kanë nxitur thirrje për ngadalësimin e zhvillimit të kësaj teknologjie dhe rregullimin e saj më të rreptë.
Muajin e kaluar, Papa tha se inteligjenca artificiale duhet t’i shërbejë dinjitetit njerëzor, të forcojë paqen dhe të udhëhiqet nga mençuria dhe dashuria.






