Papagalli dhe fjala “La Ilahe ila Allah” – VIDEO

Ishte një hoxhë i cili nxënësve të tij ua mësonte akiden. Ua mësonte fjalën “La Ilahe ila Allah”, ua shpjegonte rëndësinë e kësaj fjale dhe i edukonte në frymën e kësaj fjale.

Një ditë erdhi një nxënës dhe ia dhuroi hoxhës një papagall, pasi e dinte se hoxhës i pëlqenin shumë zogjtë.
Me kalimin e kohës hoxha u lidh aq shumë me papagallin sa që e merrte me vete edhe në ligjëratat e tij, në mënyrë që edhe papagalli ta mësonte shqiptimin e fjalës “La Ilahe ila Allah!”
Dhe ashtu ndodhi, papagalli e mësoi fjalën “La Ilahe ila Allah” dhe e shqiptonte atë ditë e natë.
Pas një kohe nxënësit e gjetën hoxhën e tyre duke qajtur. Kur e pyeten se përse qan, ai u tha se macja ia kishte ngrënë papagallin. Për ta qetësuar nxënësit i thanë se do ta sjellin një tjetër edhe më të mirë se ai. Por, hoxha ua ktheu: Nuk po qaj për këtë, po qaj sepse në momentin kur e sulmoi macja, papagalli filloi të bërtiste me zë të lart deri sa dha shpirt, megjithëse gjithmonë e shqiptonte fjalën “La Ilahe ila Allah”, në momentin kur e sulmoi macja e harroi këtë fjalë dhe vetëm lëshonte britma. I gjori papagall kur e thoshte fjalën “La Ilahe ila Allah”, e thoshte thjesht pa e ditur domethënien e kësaj fjale, e thoshte vetëm me gjuhën e tij dhe nuk kishte mundësi që këtë fjalë ta ndiej me zemër.
Pastaj hoxha vazhdoi: Kam frikë se mos bëhemi si ky papagall, jetojmë jetën tonë e shqiptojmë fjalën “La Ilahe ila Allah” me gjuhët tona e pastaj kur të na vjen vdekja ta harrojmë shqiptimin e kësaj fjale sepse zemrat tona nuk e njohën këtë fjalë dhe rëndësinë e kësaj fjale.
Nxënësit filluan të qajnë prej frikës së mos sinqeritetit të kësaj fjale “La Ilahe ila Allah”. /islamgjakova