Taktikat e ndyra të sionistëve për pengimin e rikthimit të palestinezëve në shtëpitë e tyre
Udhëtimi i palestinezëve drejt Rripit të Gazës përmes pikës kufitare të Rafah-ut është shndërruar në një rrugë terrori, e shënuar nga marrjet në pyetje, ndalimet dhe poshtërimet.
Sipas dëshmive të të kthyerve dhe raporteve të OKB-së, Izraeli po përdor masa shtrënguese dhe joshjen financiare për të detyruar qytetarët të heqin dorë nga e drejta e tyre e kthimit ose për t’i kthyer ata në spiunë në shërbim të tyre.
Që nga rihapja e kufirit më 2 shkurt, pas një mbylljeje që zgjati nga maji i vitit 2024, procesi mbetet rreptësisht i kufizuar. Nga 1.800 persona që tentuan të kalonin, vetëm 488 ia dolën, ose vetëm 27 për qind.
Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka dokumentuar shkelje të rënda, ku të kthyerit prangosen, u lidhen sytë dhe u konfiskuan sendet personale nga milicitë lokale (si grupi Abu Shabab), të cilët mbështeten fshehurazi nga ushtria izraelite me para dhe armë.
Raportet përshkruajnë një model sistematik të dhunës dhe degradimit. Të moshuarit dhe fëmijët i nënshtrohen kontrolleve trupore ndërhyrëse dhe marrjeve në pyetje që zgjasin me orë. Në disa raste, palestinezëve u janë ofruar para për t’u kthyer në Egjipt e për të mos shkelur më kurrë në Gaza, një praktikë që ngre shqetësime serioze për spastrim etnik.
Organizatat izraelite për të drejtat e njeriut, Adalah dhe Gisha, kanë kërkuar ndalimin e menjëhershëm të këtyre “politikave abuzive”, duke i cilësuar ato si “transferim i dhunshëm” dhe shkelje të Konventave të Gjenevës.
Ato theksojnë se mbyllja e kufirit ka bllokuar mijëra njerëz që kërkojnë trajtim mjekësor, ndërsa ata që lejohen të kthehen janë kryesisht gra dhe fëmijë, në shifra shumë më të ulëta sesa ato të dakorduara në marrëvëshjen e tetorit 2025.
Pavarësisht shkatërrimit masiv dhe presioneve të vazhdueshme, vullneti i palestinezëve mbetet i pathyeshëm. Shifrat tregojnë se rreth 80.000 persona janë regjistruar për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, duke refuzuar hapur zhvendosjen e detyruar.
Ajith Sunghay nga OKB, thotë se aftësia për t’u kthyer me dinjitet te familjet dhe rrënojat e shtëpive është “minimumi absolut” që i takon këtij populli sipas ligjit ndërkombëtar. /tesheshi





