Paralajmërimi për luftë, Biden telefonatë me Putin

Mes tensioneve në rritje në kufirin ukrainas presidenti Joe Biden dhe Vladimir Putin zhvilluan një bisedë telefonike këtë të shtunë.

SHBA beson se pushtimi është i afërt, ndonëse nuk mund ta thonë me siguri. Megjithatë, ata këshillojnë qytetarët e tyre që të largohen nga Ukraina

“Çdo amerikan në Ukrainë duhet të largohet sa më shpejt të jetë e mundur dhe në çdo rast në 24 deri në 48 orët e ardhshme. (…) Nëse qëndroni, ju po merrni përsipër rrezikun, pa asnjë garanci se do të ketë ndonjë mundësi tjetër për t’u larguar, dhe asnjë perspektivë për një evakuim ushtarak amerikan në rast të një pushtimi rus”, u shpreh Jake Sullivan, Këshilltar i Sigurisë Kombëtare të SHBA.

Ndihma ushtarake në Ukrainë vijon dhe pavarësisht se Biden ka përjashtuar çdo ndërhyrje të drejtpërdrejtë ushtarake, Uashingtoni do të vendosë 3.000 ushtarë shtesë në Poloni dhe do të zhvendosë 1.000 të tjerë nga Gjermania në Rumani. Të dyja vendet kufizohen me Ukrainën.

Ajo që SHBA thotë është se Rusia ka dislokuar mjaftueshëm fuqi ajrore, detare dhe tokësore për të mbështetur një luftë në ditët e ardhshme.

Stërvitjet e përbashkëta ushtarake Rusi-Bjellorusi të nisura së fundmi e bënë kërcënimin edhe më të madh, por Moska këmbëngul se ato do të përfundojnë fundjavën e ardhshme dhe nuk po përgatiten për luftë.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu tha se “situata ushtarako-politike në Evropë po tensionohet gjithnjë e më shumë dhe nuk është faji i tyre”.

Rusët po këmbëngulin që Perëndimi të mbajë Ukrainën dhe vendet e tjera ish-sovjetike jashtë NATO-s. Ajo gjithashtu dëshiron që NATO të përmbahet nga vendosja e armëve pranë kufirit të saj dhe të tërheqë forcat e aleancës nga Evropa Lindore, kërkesa të refuzuara kategorikisht nga Perëndimi. /euronews