Paralajmëron IKSHPK: Situata me COVID-19 në Kosovë mund të përkeqësohet

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka lëshuar komunikatë në lidhje me situatën epidemiologjike në Kosovë, rajon e botë.

IKSHPK me anë të një komunikate për media ka thënë se situata në rajon e më gjerë është përkeqësuar, teksa në Kosovë vazhdon të ketë rënie të numrit të rasteve të reja, shkruan lajmi.net.

Tutje, Instituti ka thënë se megjithatë situate në Kosovë është jostabile, pasë parasysh se variant “Delta” është prezent dhe dominues në vend.

“Situata epidemiologjike mund të përkeqësohet në rast të rritjes së rasteve të reja, dhe kjo do të mund të paraqesë mbingarkesë të re për sistemin shëndetësor dhe për profesionistët shëndetësor”, thotë IKSHPK.

Kësisoj, IKSHPK u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që të marrin vaksinën, si mjetin më efikas për të luftuar virusin.

 Apeli i plotë i IKSHPK-së:

Të nderuar qytetarë!

IKSHPK është duke e përcjellur në vazhdimësi situatën epidemiologjike në vend, në rajon dhe në botë.

Situata me pandeminë në vendet në rajon dhe më gjerë është përkeqësuar, këto kohët e fundit. Ndërsa, situata epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë vazhdon me rënie të numrit të rasteve të reja pozitive dhe numrit të vdekjeve, por megjithatë është akoma jostabile, në vecanti duke pasur parasysh se varianti Delta është prezent dhe është varianti dominues në qarkullim në Kosovë.

Ne jemi duke vazhduar pandërprerë me gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik.

Situata epidemiologjike mund të përkeqësohet në rast të rritjes së rasteve të reja, dhe kjo do të mund të paraqesë mbingarkesë të re për sistemin shëndetësor dhe për profesionistët shëndetësor.

Andaj, IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, për respektimin e të gjitha masave sipas vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mosgrumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë.

Është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19.