Parlamenti izraelit miraton ligjin për mbylljen e televizioni Al Jazeera

Parlamenti i Izraelit (Knesset) ka miratuar legjislacionin që lejon mbylljen e televizionit Al Jazeera, transmeton Anadolu.

Ligji u miratua me 71 vota pro kundrejt 10 votave në leximin e dytë dhe të tretë në plenumin e Knesset-it.

Leximi i parë i projektligjit u miratua më 12 shkurt.

Sipas projektligjit, ministri i Komunikimeve do të autorizohet të mbyllë rrjetet e huaja që operojnë në Izrael dhe të konfiskojë pajisjet e tyre nëse ministri i Mbrojtjes identifikon se transmetimi i tyre përbën një “dëm të vërtetë për sigurinë e shtetit”.

Pas miratimit të ligjit, ministri izraelit i Komunikimeve, Shlomo Karhi, u zotua se kanali Al Jazeera i financuar nga Katari do të mbyllet “në ditët në vijim”.

Sot herët, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u zotua të “veprojë menjëherë për të mbyllur televizionin Al Jazeera” pas miratimit të projektligjit në Knesset.

SHBA e përshkroi miratimin e projektligjit për mbylljen e televizionit Al Jazeera-s si “shqetësues”.

“Ne besojmë në lirinë e shtypit. Është kritike. Është jashtëzakonisht e rëndësishme. Dhe SHBA-ja mbështet punën kritike të rëndësishme që bëjnë gazetarët në mbarë botën dhe që përfshin ata që raportojnë në konfliktin në Gaza”, tha Karine Jean-Pierre, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, gjatë një konference për media.

Al Jazeera ka një zyrë në Izrael dhe një ekip korrespondentësh që punojnë gjatë gjithë vitit, duke përfshirë mbulimin e luftës së vazhdueshme të Izraelit në Rripin e Gazës, e cila ka vrarë të paktën 32.850 njerëz që nga 7 tetori i vitit 2023.