Partitë shpenzuan 3 milionë euro për zgjedhjet e 11 qershorit

Partitë politike për zgjedhjet e 11 qershorit kanë shpenzuar miliona euro, ku prin koalicioni PAN me 1 milion e 717 mijë e 155 euro, koalicioni LAA me 1 milion e 94 mijë e 76 euro dhe Lëvizja Vetëvendosje me 359 mijë e 929 euro.

Kështu u tha sot me rastin e prezantimit të raportit “Sa shpenzuan partitë politike për zgjedhjet e 11qershorit”, nga organizata jo qeveritare Çohu! dhe Demokracia Plus.

Genc Nimoni nga Çohu, tha se gjatë analizës janë ndalur kryesisht në dy koalicionet e mëdha që kanë qenë në zgjedhjet e 11 qershorit, PAN dhe LAA dhe Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa theksoi se edhe pse kanë kërkuar të kenë qasje në raportet financiare të subjekteve politike një gjë e tillë nuk iu është mundësuar.

Isuf Zejna nga D +, tha se në këtë raport janë analizuar shpenzimet duke përdorur një metodologji të kombinuar e cila ka përfshirë shpenzimet e subjekteve në media, tubime elektorale, vëzhgimin e zgjedhjeve dhe shpenzimet në terren, ku është vërejtur se PAN prin në shpenzimet për media. Sipas tij, interesimi i partive politike për gazetat ditore ka rënë.