Pas 15 ditësh, bëhet ndërrimi i policëve që ishin të bllokuar në Leposaviq

Sot, pas 15 ditësh radhazi, është bërë ndërrimi i policëve të Kosovës, të cilët kishin mbetur të bllokuar në Leposaviq.

Lajmin për Indeksonline e ka konfirmuar edhe kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.

I njëjti, në një deklaratë për Indeksonline tha se ndërrimi i policëve është bërë sot, ndërsa po pritet që së shpejti të bëhet edhe ndërrimi i policëve në Jarinje.

“Po, ndërrimi i policëve është bërë sot në Leposaviq. Ka qenë kohë e gjatë, 15 ditë, ama ndërrimi është bërë më në fund. Po presim që për një kohë sa më të shkurtër të bëhet edhe ndërrimi i policëve që janë në Jarinje” tha Zeqiri.

Sot ishte dita e 15 që kur serbët në formë të organizuar vendosen barrikada në të gjitha rrugët që të çojnë për në komunat me shumicë serbe, për të bllokuar deportimin në Prishtinë të ish-policit Dejan Pantiq.

Që nga ajo ditë, policët që ishin në krye të detyrës në lokacionet Leposaviq dhe Jarinje ngelën të bllokuar.

Përgjatë këtyre 15 ditëve, ata punuan me ndërrime 24 orëshe.