Pas 64 vitesh shfaqen peshkaqenë në Tamiz

Peshkaqenë helmues dy metra të gjatë jetojnë dhe shumohen në Tamiz, 64 vite pasi lumi është shpallur biologjikisht i vdekur.

Kontrolli i parë ka konstatuar se në të jetojnë kuaj deti, midhje dhe foka, së bashku me peshkaqenin gjembaç.

Këta peshkaqenë notojnë në cekëtirë dhe kanë dy pendë shpinore që lëshojnë helm. Helmi nuk është vdekjeprurës për njerëzit, por sjell ndërlikime si ënjtja apo dhimbje. Përveç tij, ka edhe dy lloje peshkaqenësh të tjerë të vegjël të cilët po e përdorin lumin si një inkubator, ndërsa të rriturit shumohen në grykëderdhje apo gjire të cekëta.

Sipas Shoqërisë Zoologjike të Londrës, Tamizi tashmë gëlon nga jeta dhe në të jetojnë 115 lloje peshqish dhe 92 zogjsh në një hapësirë kriporeje prej 600 hektarësh. Madje edhe disa ngjala që kanë qenë të rrezikuara po rikthehen fort.

Megjithatë rreziku gjendet ende aty. Në Tamiz janë identifikuar mbetje industriale apo ujëra të zeza si një burim nitrati i cili rrezikon faunën e këtij mjedisi. Tubacioni i madh që është planifikuar të mbarojë deri në vitin 2025 i cili do të filtrojë më shumë se 95% të ujërave të zeza që kalojnë në lumin e Londrës duket se është më i nevojshëm se kurrë./tvklan.al