Pas dekretimit të Ligjit të Rimëkëmbjes, Trusti jep detajet për mënyrën e aplikimit të tërheqjes së 10 përqindëshit

Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19 është dekretuar nga Zyra e Presidencës.

Përmes një njoftimi, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka sqaruar mënyrën e aplikimit për tërheqjen e 10-përqindëhit.

“Aplikimi për tërheqje të 10% do të bëhet vetëm ONLINE dhe përmes një faqeje të veçantë interneti. Pra, nuk keni nevojë që tani të krijoni qasje në eTrusti. Adresa e faqes së veçantë të internetit për aplikim të tërheqjes 10% dhe detajet tjera do të publikohen ditëve në vijim”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.

Sipas Trustit, janë katër muaj në dispozicion për aplikim.

“Për aplikim janë në dispozicion 4 muaj. Prandaj, mos u brengosni nëse nuk mund të aplikoni që në ditët e para pas dekretimit”, përfundon njoftimi.

Pas dekretimit nga Presidenca, Ligji pritet të publikohet në në Gazetën Zyrtare ku brenda 15 ditëve do të hyn në fuqi.

Të premten, deputetët e Kuvendit të Kosovës me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kanë votuar në lexim të dytë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike nga pandemia COVID-19.

Të mërkurën, Komisioni për Buxhet dhe Transfere kishte votuar raportin e Projektligjit me katër amendamentet e propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës.

Njëra nga këto amendamente është rimbursimi nga Qeveria e Kosovës së 10-përqindëshit të mjeteve të tërhequra nga Fondi Pensional, për të gjithë ata që kanë më pak se 10 mijë euro.