Pas disa thirrjeve më në fund votohen në Kuvend marrëveshjet ndërkombëtare

Dy marrëveshje ndërkombëtare janë ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, pas shumë thirrjeve të bëra nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca që deputetët të jenë të pranishëm në sallë.

Deputetët fillimisht nuk ishin në sallë, prandaj edhe nuk mund të votoheshin marrëveshjet ndërkombëtare pasi duhet prania e 80 deputetëve për të votuar këto marrëveshje.

“59 deputetë në seancë. Deputetët paguhen prej popullit. Po fillojmë me pika të tjera të seancës, meqenëse nuk janë 80 deputetë në sallë për t’i votuar marrëveshjet ndërkombëtare”, theksoi Konjufca.

Marrëveshjet që u ratifikuan në Kuvendin e Kosovës me nga 83 vota për janë:

Shqyrtimi i Projektligjit nr. 08/L-060 për ratifikimin e “Amendamentit nr. 1 të Marrëveshjes financiare për IPA 2018, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian,

Shqyrtimi i Projektligjit nr. 08/L-061 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për financimin e Projektit “Reagimi i Kosovës ndaj pandemisë COVID-19 për NVM-të”.