Pas intervistimit nga policia, lirohet Nuredin Lushtaku

Dy pjesëtarë të policisë së Kosovës kanë mbetur të plagosur nga një përleshje që ka ndodhur mbrëmë në Skenderaj, ku dyshohet se i përfshirë ka qenë ish-nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtaku.

Lushtaku është liruar nga ndalimi policor, pas intervistimit nga ana e policisë.

Lajmin për lirimin e tij e ka bërë të ditur për Telegrafin, avokati Artan Qerkini.

“Po është liruar nga ndalimi policor. Nuk ekziston dyshimi që ai ka përdorë armë në rastin në fjalë. Policia do t’i zhvillojë hetimet, ne jemi të interesuar që hetimet të zhvillohen të plota në mënyrë që të zbardhet e gjithë e vërteta e këtij rasti, pa zhvillime të hetimeve natyrisht ne do t’i përdorim të gjitha ato mjete juridike që i kemi në dispozicion varësisht prej rezultatit të procedurës së hetimeve”, ka thënë ai.

Dy policë janë plagosur në Skenderaj të shtunën pas mesnatës. Siç bëhet e ditur nga Policia ata janë plagosur në një pikë kontrolli.

“Me datë 02.07.2022, rreth orës 23:55, është raportuar se në Skenderaj gjatë një pikë të kontrollit janë sulmuar dy zyrtarë policorë, njëri është i plagosur me armë zjarri në këmbë dhe tjetri është i lënduar nga mjetet e forta”, thuhet në njoftim.

Policia ka bërë të ditur se të dy zyrtarët policorë janë jashtë rrezikut për jetë, të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.