Pas Pelosit një delegacion i ri i Kongresit të SHBA-së viziton Tajvanin

Një delegacion i ri i Kongresit të SHBA-së ka mbërritur në Tajvan 12 ditë pas vizitës në ishull të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së Nancy Pelosi, e cila shkaktoi tensione me Kinën

Një delegacion i ri i Kongresit të SHBA-së ka mbërritur në Tajvan 12 ditë pas vizitës në ishull të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së Nancy Pelosi, e cila shkaktoi tensione me Kinën, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga Instituti Amerikan, i cili është në cilësinë e ambasadës “de facto” të SHBA-së në Tajvan, ishulli u vizitua në kuadër të turit aziatik nga një delegacion i përbërë nga 5 persona i kryesuar nga Ed Markey, senatori demokrat i Massachusetts-it.

“Delegacioni do të zhvillojë takime me zyrtarë të nivelit të lartë, për marrëdhëniet SHBA-Tajvan, sigurinë në rajon, tregtinë, investimet dhe çështje të tjera”, thuhet në deklaratë.

Markey në vizitën e tij shoqërohet nga anëtarja republikane e Dhomës së Përfaqësuesve, Aumua Amata Coleman si dhe anëtarët demokratët të Dhomës së Përfaqësuesve, John Garamendi, Alan Lowenthal dhe Don Beyer.

Vizita e Pelosit dhe delegacionit të Kongresit prej 5 personash në Tajvan më 2 dhe 3 gusht shkaktoi reagimin e Pekinit i cili territorin e ishullit i konsideron pjesë të territorit të tij. Pas vizitës Kina zhvilloi stërvitje ushtarake përreth ishullit.

Stërvitjet e kryera në 6 rajone krijuan një bllokadë “de facto” përreth ishullit. Gjatë stërvitjeve ku u përdorën armë dhe municione të vërteta, raketat e udhëzuara që u lëshuan nga territori kryesor i Kinës ranë në ujërat në afërsi të Tajvanit.

Zëdhënësi i ushtrisë më 10 gusht njoftoi përfundimin e stërvitjeve, por informoi se do të vazhdojë aktivitetet e patrullimit ushtarak në Ngushticën e Tajvanit.

Pelosi është kryetarja e parë e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, e cila pas 25 vitesh viziton ishullin që është në konflikt sovraniteti me Kinën. Më parë, Tajvanin në vitin 1997 e ka vizituar Newt Gingrich, teksa mbante këtë pozitë.

Duke miratuar “parimin një Kinë”, Pekini kundërshton vendosjen e marrëdhënieve diplomatike të pavarura të Tajvanit me vendet e botës, përfaqësimin e tij në OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare si dhe vendeve që e njohin atë u vendos kusht që të ndërpresin marrëdhëniet diplomatike me Tajvanin. /aa