Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Pas tensioneve në Gjirin Persik, Katari dhe Irani rikthejnë shkëmbimet detare

Pas tensioneve në Gjirin Persik, Katari dhe Irani rikthejnë shkëmbimet detare

Katari dhe Irani kanë njoftuar rifillimin e tregtisë detare midis porteve të tyre, pas një periudhe pezullimi të aktiviteteve në këtë korridor strategjik të Gjirit Persik.

Ministria e Transportit e Katarit bëri të ditur në një deklaratë të publikuar në rrjetin X se aktivitetet detare do të rifillonin menjëherë.

Ndërkohë, mediat shtetërore iraniane raportuan rihapjen e portit Al-Ruwais për mallrat iraniane dhe rikthimin e shkëmbimeve tregtare detare mes dy vendeve. Rruga midis Al-Ruwais dhe portit iranian Dayyer konsiderohet si një nga më të shkurtrat tregtare në Gjirin Persik.

Katari luan prej kohësh rolin e një ndërmjetësi kryesor mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara dhe ka mbështetur vazhdimisht dialogun për zbutjen e tensioneve në rajon.

Vetëm një javë më parë, autoritetet e Katarit kishin kërkuar pezullimin e përkohshëm të lundrimeve dhe aktiviteteve detare, në kushtet e rritjes së tensioneve në jug të Gjirit Persik.