Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Pastori palestinez kërkon përqendrim në vrasjet e civilëve në Gaza dhe Liban...

Pastori palestinez kërkon përqendrim në vrasjet e civilëve në Gaza dhe Liban pas incidentit me statujat

Munther Isaac

Pastori palestinez Munther Isaac bëri thirrje për të drejtuar zemërimin drejt sulmeve ndaj civilëve dhe shkatërrimit të përhapur në Gaza dhe Liban, në vend që të përqendrohet vetëm në shkatërrimin e një statuje të Jezusit nga një ushtar izraelit, transmeton Anadolu.

Isaac, pastor i Kishës Ungjillore Luterane të Krishtlindjeve në Ramallah, tha në një postim në platformën amerikane të mediave sociale X se “Zemërimi nuk duhet të jetë për një statujë të shkatërruar të Jezusit, sado e neveritshme që është kjo”.

“Zemërimi i vërtetë është shënjestrimi i civilëve, sulmi ndaj dinjitetit njerëzor, shkatërrimi në Gaza dhe Liban. Lufta është e keqe. Ne kemi nevojë për përgjegjësi”, shtoi ai në postimin e së hënës.

Pamjet qarkulluan të dielën duke treguar një ushtar izraelit duke përdorur një çekiç për të shkatërruar një statujë të Jezusit në qytetin jugor libanez të Dibelit, duke shkaktuar zemërim të gjerë lokal dhe ndërkombëtar dhe dënim nga figura fetare dhe politike.

Udhëheqësit e kishës katolike në Kuds e dënuan aktin në një deklaratë të hënën, duke e quajtur atë një shkelje serioze të vlerave fetare të krishtera dhe duke kërkuar përgjegjësi. Transmetuesi publik i Izraelit raportoi se ushtari nuk do të përballet me hetim penal dhe në vend të kësaj do t’u nënshtrohet masave disiplinore.

Ushtria izraelite tha në një deklaratë se e sheh incidentin me seriozitetin më të madh dhe se sjellja e ushtarit bie ndesh me vlerat që priten nga trupat e saj.

Izraeli vazhdon ofensivën ushtarake në Liban që nga 2 marsi, menjëherë pas fillimit të luftës me Iranin, duke vrarë 2.294 persona, duke plagosur 7.544 dhe duke zhvendosur më shumë se 1 milion, sipas shifrave zyrtare. Një armëpushim 10-ditor u njoftua nga presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe hyri në fuqi të enjten në mbrëmje, por shkeljet kanë vazhduar.