Partia Demokratike e Kosovës ka theksuar se mbetet e gatshme për bashkëpunim në procesin e zgjedhjes së presidentit, por pa një marrëveshje politike dhe qasje serioze, vendi rrezikon të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka deklaruar se partia e tij ka qenë konstruktive gjatë gjithë procesit, ndërsa ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për mungesë serioziteti.
“PDK-ja ka qenë konstruktive, por pala tjetër nuk ka qasje serioze”, tha ai, duke shtuar se kjo është “taktikë e Kurtit për ta dërguar vendin në zgjedhje”.
Tahiri gjithashtu e ka quajtur kërkesën për më shumë vota për zgjedhjen e presidentit si të panevojshme.
“Vazhdim i telenovelave për ta humbur vëmendjen dhe për të krijuar situata të paarsyeshme, por ne e dimë se konsensusi arrihet me 80 vota”, theksoi ai.
Ndërkohë, deputetja Blerta Deliu-Kodra ka bërë të ditur se PDK nuk ka pranuar ende ftesë zyrtare nga Lëvizja Vetëvendosje për takim, duke kërkuar që çdo ftesë të bëhet në mënyrë formale.
“Pa një ftesë zyrtare nuk mund të ketë përgjigje institucionale”, u shpreh ajo.
Ajo shtoi se PDK nuk do të propozojë emra për president pa një marrëveshje paraprake politike, duke theksuar se përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit mbetet tek qeveria.
Sipas saj, nëse nuk ka vullnet politik, vendi mund të përballet me zgjedhje të reja.






